
Besnik Tahiri, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se pushteti i Albin Kurtit të cilin ai e cilëson ai autoritar, është duke linçuar prokurorinë përmes videove të zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës.
Zyrtarë të lartë në ekzekutiv po dalin me video ku po tregojnë për rastet që i kanë paraqitur në prokurori ku përfshihet akterët e ish-pushtetit, e sipas tyre prokuroria nuk po merret me ato raste.
Por për Besnik Tahirin kjo është një fushatë linçuese, duke e ftuar prokurorinë që të vazhdojë në luftimin e korrupsionit.
”Ditëve të fundit pushteti autoritar ka shpërfaqur një fushatë linçuese kundër sistemit të drejtësisë, me theks të veçantë ndaj sistemit prokurorial të Kosovës, që për qëllim ka frikësimin dhe shantazhin e prokurorëve, të cilët në baza ditore po e luftojnë korrupsionin”.
”Shihet shumë qartë se qëllimi i pushtetit nuk është denoncimi i ndonjë akti penal, por krijimi i argumenteve fiktive, me të cilat do të sulmohej Prokuroria, pikërisht në kohën kur zyrtarët e këtij pushteti do të ndiqeshin për vepra korruptive. Dhe, pikërisht tani po ndodh ky fenomen, ku me qëllim të dëmtimit të integritetit të prokurorëve dhe humbjes së besimit ndaj sistemit prokurorial, eksponentë të Qeverisë po dalin me video linçuese, se kinese Prokuroria është e njëanshme, ku si argument po përdorin pikërisht kallëzimet penale të cilat i kishin parashtruar më herët dhe të cilat nuk përmbushnin kriteret ligjore për t’u trajtuar”.
“Unë e ftoj sistemin prokurorial të Kosovës, që të vazhdojë punën e tyre të pakompromis në luftimin e krimit dhe korrupsionit, ashtu siç e kërkojnë ligjet dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai në Facebook, të enjten.