
Takimet ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, të cilat përfunduan pa ndonjë marrëveshje konkrete, kanë nxitur reagime në skenën politike.
Analisti politik Jeton Zogjani, në emisionin “Adresa”, tha se çështja kryesore e diskutimeve ishte zgjedhja e presidentit.
“Sipas meje, këtu problemi është presidenti. Aty u thirr dhe u diskutua për presidentin. Z. Kurti, me takimin e sotëm, e tregoi një gjë: se këtu nuk do të ketë koalicion dhe vendi po shkon drejt zgjedhjeve”, deklaroi Zogjani.
Ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, një pjesë e LDK-së që ai e quajti “grupi i zjarrit” nuk duhet të marrë barrën e vendimmarrjes, pasi, sipas tij, kjo do ta dëmtonte edhe më shumë partinë.
“Grupi i zjarrit mos ta marrë barrën përsipër e ta dëmtojë LDK-në edhe më shumë. Grupi i zjarrit janë ata të LDK-së”, u shpreh Zogjani.