
Ministria e Ekonomisë planifikon investim në Termocentralin Kosova A për të zbutur krizën energjetike, e cila e ka kapluar vendin. Megjithatë, kjo ministri nuk a dhënë as datë të nisjes së investimeve e as vlerën që do investohet në këtë termocentral. Nga ana tjetër Bashkimi Evropian që ka kundërshtuar fortë zgjatjen e jetës së këtij termocentrali, i ka bërë thirrje Kosovës që të mos i shkelë konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e ambientit, raporton Kanal10.
Raporti: Bleona Dallaveraj
Ndonëse vera ende nuk ka përfunduar, reduktimet e rrymës sa vijnë e përkeqësohen, madje gjatë dy ditëve të fundit orari i ndërprerjes së energjisë shkuan deri në 3 herë në ditë. duke paralajmëruar kështu një situatë aspak të mirë në dimër.
Në kohën kur situata mund të përkeqësohet edhe më shumë gjatë periudhës së dimrit, Ministria e Ekonomisë po planifikon t’ia zgjasë jetën Termocentralit Kosova A.
Zgjatjen e punës së këtij termocentrali, ministria e ka paraparë me strategjinë e energjisë, por pa pranuar të jap më shumë sqarime rreth kostos së investimeve.
“Parashihet rehabilitimi i një blloku të TC Kosova A, në plan afatshkurtër dhe varësisht nga zhvillimet e tregut dhe rritjes së kërkesave nuk përjashtohet rehabilitimi edhe i një blloku tjetër, që do të punojnë me kapacitet të plotë deri në 2028 dhe më pas do të përdoren vetëm si rezervë strategjike për mbulimin e kërkesave të pikut të ngarkesës në sezonën e dimrit dhe në rrethana të ngjashme krizash”
Kujdes rreth investimeve dhe kohëzgjatje të jetës së Termocentralit Kosova A, ka kërkuar Bashkimi Evropian, i cili për vite të tëra ka kërkuar që të mbyllet.
Në një përgjigje për Kanal10, BE-ja ka bërë thirrje që Kosova t’i respektoje të gjitha konventat ndërkombëtare rreth ruajtjes së ambientit.
“BE-ja tashmë ka vënë në dukje pozitivisht përkushtimin e Kosovës në Strategjinë e re të Energjisë drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë deri në vitin 2050. Si palë kontraktuese e Komunitetit të Energjisë, Kosova duhet të pajtohet me acquis mjedisore të aplikueshme sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Rehabilitimi i kapaciteteve ekzistuese të qymyrit duhet të jetë në përputhje me standardet mjedisore të BE-së dhe të jetë në përputhje me objektivin e dekarbonizimit”
Skeptik për funksionimin e sigurt të tyre janë ekspertët e energjisë, të cilët thonë se vjetërsia e blloqeve jep pak besueshmëri për prodhim stabil të energjisë.
Termocentrali Kosova A ka në përbërje 5 blloqe, tre prej tyre janë funksional, derisa dy nuk punojnë nga paslufta.
Ka qenë insistimi dhe presioni i Bashkimit Evropian që ka bllokuar investimet në dy blloqet e lëna në harresë e të cilat prodhonin së bashku 190 megavat energji elektrike./Gazeta10