
Raporti Gresa Bardhecaj
Sindikata të ndryshme në vend kanë shprehur pakënaqësitë e tyre pas daljes në diskutim publik të Projektligjit të Pagave, pasi nuk janë pajtuar me koeficientin e përcaktuar. Nga BSPK dhe Sindikata e Zjarrfikësve kanë kërkuar që të respektohen të gjitha gradat në kategoritë e përfshira në Ligjin e Pagave.
Pas daljes në diskutim publik të Projektligjit të Pagave, sindikata të ndryshme në vend kanë ngritur pakënaqësi në lidhje me mënyrën se si janë përcaktuar koeficientët.
Andaj të njëjtat tashmë kanë filluar t’i dërgojnë vërejtjet e tyre për këtë projektligj.
Nga sindikata e zjarrfikësve derisa kanë ngritur kritika ndaj ekzekutivit, kanë thënë se në koeficient janë përfshirë vetëm dy grada.
Ndërkaq, nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës kanë thënë se kanë kërkuar që brenda këtij projektligji të respektohen dhe të mos diskriminohen shërbyesit civil.
Kurse kritika kanë pasur edhe nga sindikata e infermierëve e ajo e policisë.
Nga Sindikata e Policëve kanë thënë se kërkojnë që vlera e koeficientit për zyrtarët policorë, të jetë e barabartë me atë të Forcës së Sigurisë së Kosovës
Sipas këtij projektligji me pagat më të larta prijnë pozita e presidentes, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, kryeparlamentarit e kryeministrit.
Nëse vlera e një koeficienti do të jetë 120 euro, atëherë presidentja do të marrë pagë në vlerë prej 2.160 euro, pasuar nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese me 2.100 euro.
Kurse kryeministri e kryeprokurori i shtetit do të paguhen 2.040 euro në muaj. / Kanal0