
Në vendngjarje u sekuestrua një armë, ndërsa i dyshuari u arrestua dhe më pas u lirua në procedurë të rregullt, me vendim të prokurorit.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 5 gusht 2026, rreth orës 23:45, në rrugën “Rexhë Avdija” në Pejë, pasi stacioni policor u njoftua për të shtëna me armë gjatë një ahengu. Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin.
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar:
një armë të tipit Zoraki, kalibër 9 mm;
pesë fishekë;
një karikator.
Pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë organizimit të ahengjeve dhe festimeve të tjera të mos përdorin armë, duke theksuar se përdorimi i tyre në mënyrë të kundërligjshme përbën vepër penale.
“Policia e Kosovës do të ndërmarrë masa ndaj të gjithë atyre që përdorin armë në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në apelin e Policisë.