N.N. (identiteti i njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë) është njëri nga 46 pjesëtarët e komunitetit serb që iu bashkuan Policisë së Kosovës, pas konkursit për plotësimin e pozitave vakante në drejtorinë për rajonin e veriut të Kosovës.
Në total, rreth 74 prej tyre nga radhët e komuniteteve joshumicë kanë filluar punën këtë javë.
“Pas përfundimit të trajnimit, ne u dislokuam në veri të Kosovës, ku nga e hëna shkoj çdo ditë me kolegët e mi”, thotë ai.
N.N. është nga një prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Ibrit dhe pranoi të flasë për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, sepse “nuk është e lehtë të punosh në veri”.
“Kur kam aplikuar në polici kam qenë i vetëdijshëm për rrezikun që bart, aq më tepër që është veriu, të gjithë e dimë se si është situata aktuale”, vazhdon ai.
Në veri të Kosovës janë katër komuna me shumicë serbe – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potok – ku tensionet janë rritur që nga fundi i majit pas ardhjes në pushtet të kryetarëve shqiptarë.
Kësaj, si dhe krizave të mëparshme në veri, u ka paraprirë dorëheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, duke përfshirë edhe punonjësit e policisë. Shkak ka qenë vendimi i Qeverisë së Kosovës për heqjen nga përdorimi të targave të automjeteve, të cilat lëshohen nga autoritetet serbe për qytetet e Kosovës.
Kështu, gjatë gjithë kohës në veri kanë qenë të pranishëm kryesisht policë shqiptarë. Ndërkohë, dy herë është shpallur konkursi për rekrutimin e policëve të rinj nga radhët e komuniteteve joshumicë në Kosovë.
Zyrtarët e Kosovës dhe diplomatët e huaj veçanërisht i inkurajuan serbët që të aplikojnë në këto konkurse.
Deri më tani, në stacionin policor për rajonin e veriut punonin katër serbë, të cilët nuk dhanë dorëheqje, tha për REL-in zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani.
“Tani kemi 78 policë, 50 prej të cilëve janë serbë”, tha ai.