Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Televizioni shtetëror slloven emision për ambasadorin Berishaj, pagesat nga GEN-I dhe skandali financiar

Gazeta10
23 February 2023 - 21:36

Televizioni shtetëror i Sllovenisë këtë të enjte ka transmetuar emision ekskluziv lidhur me skandalin e madh financiar ku është përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Emisioni më i shikuar investigativ Tarča (Target) ka realizuar një edicion special rreth skandalit financiar të kompanisë GEN-I ku fokus i emisionit, është pikërisht ambasadori Martin Berishaj.

“Çështja më e nxehtë me të cilën po merret policia për momentin janë pazaret ballkanike në çështjen GEN-I, për të cilën po zhvillohet procedimi para-kriminal. Ka shumë pyetje të hapura, pa përgjigje në këtë çështje”, thuhet në faqen zyrtare të Radio Televizonit Slloven.

Gjithashtu, një grup gazetarësh slloven, ndër ta edhe një nga gazetaret më të njohura në Slloveni, Erika Znidarshiç, vizituan selinë e kompanisë GEN-I në Prishtinë, por aty gjetën vetëm një fotokopje.

“Është interesante se në Prishtinë ne po kërkonim selinë e degës së GEN-I në adresën zyrtare, por as kuti postare nuk gjetëm. Më të diskutueshmet janë transferimet e degëve serbe të GEN-I tek kompanitë e ambasadorit aktual të Kosovës, Martin Berishaj. Bëhet fjalë për shuma të mëdha, të cilat Berishaj i ka shpërlarë menjëherë pas marrjes së tyre. Nuk dihet se ku i ka marrë paratë. Ne shqyrtuam të dhënat dhe kërkuam përgjigjet e të gjitha institucioneve në Ballkan”.

Ndryshe, kryeredaktori i Planet TV, Mirko Mayer, ka njoftuar përmes llogarisë së tij në Twitter se Gjykata në Slloveni ka vendosur në shkallën e dytë se lajmet e këtij mediumi për përfshirjen e Martin Berishaj në një skandal financiar dhe pagesat e majme për të nga GEN-I në Beograd, nuk janë shpifje.

Mayer në njoftimin e tij i është drejtuar edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili kishte thënë ditë më parë se shpreson që të vendoset drejtësia në rastin Berishaj që ka përfshirë katër vende të Ballkanit Perëndimor.

“Kam dëgjuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një deklaratë dhe ka shprehur dëshirën që drejtësia do të thotë fjalën e saj në rastin e Berishajt kundër Planet TV. E njoftoj se kjo dëshirë i është plotësuar dhe drejtësia tashmë ka vendosur. Rasti i hapur nga Berishaj është refuzuar nga gjykatë në shkallën e dytë”, ka shkruar Mayer.

Rasti kurioz i Martin Berishaj 

Siç raporton Albanian Post në Slloveni ekziston një kompani me emrin GEN-I. Kompania është një ndër më të mëdhatë në rajon për tregtim të energjisë elektrike. Mediat në Slloveni kanë zbuluar se përmes kësaj kompania janë shpërlarë para të taksapaguesve slloven.

GEN-I qendror në Slloveni, hapë filiale në Beograd, Sarajevë, Tiranë e vende të tjera. Më vonë, kompania amë përmes akrobacioneve të ndryshme fiskale u lëshon para degëve të saja për arsye të ndryshme financimi.

Ato para, dalin jashtë shtetit slloven dhe bëhen lehtësisht të manipulueshme. Filialet e kompanisë i shpërlajnë ato duke paguar njerëz si Martin Berishaj. Ai paguhet formalisht për konsulencë, si për shembull nga GEN-I në Beograd me shuma të fryra ku më pas i tërheqë paratë nga xhirollogaria e tij dhe i ridërgon në Slloveni.

Nga aty, të njëjtat dërgohen në bursa e tregjet e ndryshme, kryesisht në Itali. Informacionet e fundit janë se Martin Berishaj me një pjesë të atyre parave ka financuar edhe fushatat elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo.

Berishaj aktualisht po akuzohet nga Prokuroria Themelore e Kosovës për deklarim të rrejshëm të pasurisë dhe nga Prokuroria Speciale për shpëlarje parash derisa vazhdon të mbetet ambasador.

Media sllovene Prava publikoi të dhëna për transaksione të dyshimta dhe aty zbulohet se bëhet fjalë për afër 100 milionë euro të dërguara nga GEN-I në Slloveni si kompani qendrore në degë dhe filale të ndryshme si në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi e Shqipëri.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.