
Java e parë e gushtit në Kosovë do të karakterizohet nga mot kryesisht me diell dhe temperatura të larta, të cilat në disa zona do të arrijnë deri në 38°C, sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.
Nga e hëna deri të premten pritet mot i qëndrueshëm, nën ndikimin e masave të ngrohta ajrore me origjinë nga Afrika Veriore. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 11°C deri në 18°C, ndërsa ato maksimale nga 31°C deri në 38°C, transmeton Klankosova.tv.
Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, kryesisht nga verilindja, veriu dhe veriperëndimi, me shpejtësi 1-6 m/s. Gjatë ditëve të mërkurë dhe të premte mund të ketë vranësira të pakta lokale, por pa kushte për reshje.
Sipas IHMK-së, temperaturat do të jenë paksa mbi mesataren shumëvjeçare, por mbeten brenda karakteristikave normale të stinës së verës.
Rekomandime për qytetarët
Kushtet biometeorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme, megjithatë rekomandohet që qytetarët të shmangin ekspozimin e gjatë në diell gjatë orëve të mesditës.
Kujdes i veçantë u sugjerohet personave me sëmundje kronike, të moshuarve dhe fëmijëve, ndërsa këshillohet konsumimi i mjaftueshëm i lëngjeve për të shmangur dehidratimin.
Kujdes edhe për bujqësinë
Për sektorin e bujqësisë, kushtet pritet të jenë të favorshme për zhvillimin e kulturave, por temperaturat e larta dhe avullimi i shtuar kërkojnë ujitje të rregullt, si dhe monitorim të vazhdueshëm të lagështisë së tokës. Punimet në ara dhe pemishte rekomandohet të kryhen gjatë orëve të freskëta të mëngjesit.
Indeksi UV shumë i lartë
Gjatë kësaj periudhe, indeksi UV do të jetë i lartë deri shumë i lartë (8-10). Qytetarët këshillohen të përdorin krem mbrojtës ndaj diellit, syze dhe kapelë, si dhe të shmangin ekspozimin e panevojshëm në rrezet e diellit gjatë orëve më të nxehta të ditës.