
Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10
Serbia vazhdon të pretendojë se disa shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Rasti i fundit është i shtetit të Togos, për çka ka konfirmuar edhe ministrja Gërvalla, sipas së cilës, ky shtet njohjen e ka tërhequr në vitin 2019. Opozita dhe njohës të politikës së jashtme kanë hedhur kritika ndaj diplomacisë kosovare se ka dështuar përballë presionit dhe fushatës së Serbisë, shkruan Kanal10.
Togo vazhdon të jetë pjesë e listës së shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Por, ky shtet tashmë ka konfirmuar se e ka tërhequr njohjen e Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila ka thënë se një gjë e tillë ka ndodhur në vitin 2019, nën udhëheqjen e qeverive të kaluara.
“Të gjithë të ekzaltuarve rreth “ç’njohjes” së Togos dhe propagandës së Daçiçit dua t’iu rikujtoj që ajo ka ndodhur në vitin 2019, pra shumë kohë para se vinte në detyrë kjo qeveri. Më e pakta që do të duhej të ndodhte pas një propagande të tillë të përsëritur dhe fushatës kundër Kosovës është qëndrimi unik ndaj propagandës së Daçiçit dhe Vuçiçit, jo vetëm rreth “ç’njohjeve”. Të dhëmbin sytë kur sheh se sa shumë përjargen disa, sa herë që Sllobo i Vogël përpiqet t’i japë një shqelm Kosovës.”
Pas deklarimeve në Beograd për tërheqjen e njohjeve, ka pasur reagime të shumta në Kosovë, nga partitë opozitare.
Ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, ka thënë se tërheqja e disa njohjeve ka ndodhë dhe do të ndodhë, sepse sipas tij, Serbia po bën fushatë të egër kudo.
Ai ka thënë se askush nga Qeveria Kurti as nuk i viziton shtetet që kanë njohur pavarësinë, as nuk mbajnë komunikim të rregullt diplomatik me këto vende.
“Sa kam qenë ministër i jashtëm, zyrtarisht Kosovën e kishin njohur 115 shtete. Sot, qeveria duhet të sqarojë nëse Kosovës i janë hequr disa njohje! Ka të bëjë me interesin vital të Kosovës dhe përgjegjësinë e mbajnë Presidentja, Kryeministri dhe ministrja e jashtme për këtë dështim!”, tha Enver Hoxhaj – Ish-ministër i Punëve të Jashtme.
Derisa, kritik ndaj diplomacisë kosovare kanë qenë edhe njohës të politikave të jashtme.
Të hënën, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se 27 vende e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, në mesin e tyre edhe shteti i Togos.
Ndryshe, Kosova gjatë vitit 2022, nuk ka pasur asnjë njohje të re, derisa Serbia ka nisur një fushatë intensive duke lobuar në ç’njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Ndërkohë, në uebfaqen e MPJ-së, në listën zyrtare të njohjes janë 117 shtete që kanë njohur Kosovën.
I fundit në këtë listë është Izraeli që ka dorëzuar njohjen më 1 korrik 2021.