
“Situata është pothuajse tërësisht nën kontrollin e Policisë së Shtetit. Protestuesit qëndruan për më shumë se tri orë paqësisht pranë Kryeministrisë, deri në momentin kur policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e turmës”, raportoi gazetari Zeqir Hasani në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Politiko” në Kanal10
Ai tha se rreth 20 minuta para lidhjes, policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me mjete shpërndarëse për të larguar turmën, pas disa thirrjeve drejtuar protestuesve.
Sipas Hasanit, pas ndërhyrjes së policisë, pati kundërpërgjigje nga protestuesit, të cilët përdorën koktej molotovi. Gjatë përleshjeve u raportuan disa lëndime të lehta te efektivët e policisë, por, sipas informacioneve të përcjella nga gazetari, disa prej tyre nuk kishin nevojë për trajtim mjekësor.
Ndërkohë, protesta është zhvendosur në drejtim të Parkut të Rinisë dhe zonës së Tajvanit. Sipas gazetarit, policia ka shpërndarë protestuesit në disa pjesë të sheshit dhe në zona të tjera të kryeqytetit.
Situata në terren mbetet dinamike, ndërsa forcat e policisë po vazhdojnë të mbajnë nën kontroll zonat ku u zhvilluan protestat.