Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Totaj: Qeveria po i paralizon komunat, mbi 360 milionë euro u janë marrë që nga viti 2022

Gazeta10
18 August 2026 - 19:49

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, në një lidhje direkte në emisionin “Gazeta” në Kanal10, ka ngritur shqetësimin për gjendjen financiare të komunave në Kosovë.

Totaj ka deklaruar se qytetarët e komunave rrezikojnë të mbeten pa projekte dhe pa shërbimet elementare që, sipas tij, u garantohen komunave me ligj.

“Qytetarët e të gjitha komunave do të mbeten pa shërbime, pa projekte, do të mbeten pa shërbimet elementare të cilat u garantohen komunave me ligj”, ka thënë Totaj.

Ai ka pretenduar se Qeveria në detyrë po ndërhyn në kompetencat e komunave dhe po i paralizon ato.

“Qeveria në detyrë, faktikisht, s’ka legjitimitet as në detyrë, pa hezituar po e shkel vazhdimisht këtë ligj, po i uzorpon kompetencat e komunave dhe po i paralizon komunat”, është shprehur Totaj.

Duke folur për financat komunale, Totaj ka dhënë edhe një shembull konkret. Sipas tij, nga viti 2022 e deri më tani, të gjitha komunave së bashku u janë marrë mbi 360 milionë euro, ndërsa vetëm Komunës së Prizrenit, sipas tij, rreth 40 milionë euro.

Totaj ka paralajmëruar se kjo situatë mund t’i çojë komunat drejt një gjendjeje të rëndë financiare dhe të ndikojë drejtpërdrejt në ofrimin e shërbimeve dhe realizimin e projekteve për qytetarët./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.