
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, është pajtuar që të mbështesë anëtarësimin e Suedisë në NATO, ka bërë të ditur shefi i Aleancës Ushtarake Perëndimore, Jens Stoltenberg.
Stoltenberg pas takimit që pati në Vilnius të Lituanisë me Erdoganin dhe kryeministrin suedez, Ulf Kristersson, tha se protokolli i pranimit të Suedisë do të ndodhë sa më shpejtë të jetë e mundur.
“Kjo ëhstë ditë historike. Presidenti Erdogan është pajtuar që të çojë në Asamblenë Kombëtare protokollin e pranimit të Suedisë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe do të punojë ngushtë me Asamblenë që protokolli të ratifikohet”, tha ai.
Stoltenberg, Erdogan dhe kryeministri suedez Ulf Kristersson u takuan më herët gjatë ditës për të diskutuar shqetësimet e Turqisë rreth lejimit të Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO.
Erdogan kushtëzoi pranimin e Suedisë në këmbim të anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian.