
Hapja e Urës së Ibrit, ka përplasur keq asambleisten e VV-së në Mitrovicën veriore, Aida Doli dhe drejtuesin e Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnik, Fatmir Sheholli.
Sheholli e cilësoi Urën e Ibrit si simbol të lojërave politike, duke e akuzuar asambleisten e partisë në pushtet, që kjo kërkesë nuk u bë në përputhje me dëshirën e komunitetit serb në veri.
“Është një loj politike dhe simboli i kësaj Ure tash e 23 vjet i tillë. Pa biseduar me qytetarë e përfaqësues të serbëve në veri, ju e dini që kjo çështje nuk mundet të kryhet. Nuk bën me dhunë e polici të kryhen këto gjëra, duhet me demokraci. Kjo kërkesë është që 23 vite dhe nuk është kryer, prandaj po them që është e pamundshme të veprohet pa vullnetin e popullit që jeton në atë pjesë. Ju se keni bërë këtë kërkesë në emër të popullit serb.”, tha Sheholli në INFO10.
“Na ndihmon të gjithëve qytetarëve hapja e kësaj. Në emër të popullit e kam bërë kërkesën. Të gjitha komunitetet jetojnë në Mitrovicë, serbë, goran, shqiptarë, boshnjakë. Po kemi serbë që e kanë nënshkruar kërkesën. Mundemi më i bë publik emrat e serbëve që kanë kërkuar hapjen e Urës, por jo pa i pyetur ata. Çfarë rreziku mund të sjellë unë kur eci në këmbë në veri, e çfarë nëse eci me makinë?”, deklaroi Doli në Kanal10.
Përderisa Doli e sqaronte se kërkesa për hapjen e Urës erdhi pas kërkesave edhe të komunitetit serb, Sheholli i reagoi ashpër duke e pyetur se përse s’ka ndodh kjo që 23 vite, duke ia përmendur edhe Shakirën që ishte pjesë e kësaj ‘mesele’.
“E pse s’ka ndodhur që 20 vjet kjo hapje e Urës. Atëherë edhe Agim Bahtiri e ka thirr edhe Shakirën me këndu po nuk erdh ajo. Pse s’ka ndodh atëherë, po tani po insistoni që të hapet ura? Cili serb e ka nënshkruar atë kërkesë, përmende?” insistonte ai.
Çështja e hapjes së urës kryesore në Mitrovicë për trafik u aktualizua më 29 prill, kur këshilltarët në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut e kërkuan një gjë të tillë.
Aktualisht, në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës së Veriut është vetëm një këshilltar nga komuniteti serb, pasi të mëparshmit dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe./Gazeta10