
Kandidati për deputet nga PDK, Uran Ismajli në Adresa tha se në proceset zgjedhore në Kosovë duhet të ketë më shumë qartësi ligjore dhe transparencë, në mënyrë që qytetarët të kenë besim në sistemin elektoral.
Ai tha se është krijuar paqartësi në garat zgjedhore dhe se do të duhej një ndarje më e qartë mes palëve për të shmangur dyshimet dhe kontestimet.
“Ka pasur hapësirë të krijohet një distancë në mes të dy garave në mënyrë që të ketë qartësi ligjore, sepse vërtet u bë një paqartësi e madhe,” u shpreh Ismajli.
Ai gjithashtu tha se ka pasur probleme me vota në zgjedhjet e kaluara, duke pretenduar se në Prizren i janë “hequr rreth 700–800 vota”, por shtoi se probleme të ngjashme janë vërejtur edhe në parti të tjera.
“Unë vet kam qenë viktimë e marrjes së votave, në Prizren diku 700–800 vota m’i kanë hjek. Mirëpo secila parti aty rezultoi me probleme,” tha ai.
Ismajli theksoi se është e domosdoshme që Prokuroria dhe gjyqësori të reagojnë më shpejt në këto raste, në mënyrë që të ruhet besimi i qytetarëve në sistemin zgjedhor në Kosovë.
“Më shumë do të kisha dashur angazhim të prokurorisë dhe gjyqtarëve dhe një përgjigje më të shpejtë, sepse kam dëshirë që njerëzit t’i besojnë sistemit elektoral në Kosovë,” u shpreh ai.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/QzFwOspW_lY