
Raporti: Saranda Aliu
Njohësit e çështjeve politike thonë se ndërkombëtarët kanë shtuar presionin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas tyre, presioni pritet të rritet edhe më shumë gjatë ditëve në vijim. Ata kanë thënë se zhvillimet në veri të vendit e kanë përshpejtuar themelimin e tij, derisa kanë paralajmëruar dinamizim edhe në procesin e dialogut.
Ndërkombëtarët kanë shtuar përpjekjet për arritjen e një ujdie mes Kosovës e Serbisë bazuar në planin franko-gjerman, si dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Njohës të këtij procesi thonë se ka një dinamizim të procesit të dialogut dhe diskutime më të thella e më të shpeshta për Asociacionin.
Sipas tyre, zhvillimet e fundit në veri të vendit e kanë përshpejtuar më shumë themelimin e ASK-së.
Ndërkaq, nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” kanë thënë se bashkësia ndërkombëtare po e sheh themelimin e asociacionit si diçka urgjente.
Andaj edhe nga ky institut thuhet se presionet do të vazhdojnë të rriten edhe më shumë në ditët në vijim.
Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet u ka kërkuar autoriteteve të Prishtinës që të paraqesin propozimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, derisa kryeminsitri Albin Kurti ka thënë se i njëjti nuk është në frymën e kushtetutës së vendit. / Kanal10