
Sulmuesi i kombëtarës së Kosovës, Vedat Muriqi do të ketë mundësinë të ketë në duart e tij një nga trofetë madhor të Spanjës.
29-vjeçari nga Prizreni, së bashku me skuadrën e tij, Mallorcan do të luajnë ndeshjen finale të Kupës së Mbretit gjatë ditës së nesërme.
Në finalen e madhe, klubi ishullor do të luajë ndaj 24 herë kampionit të këtij kompeticionit, Athletic Bilbaos.
Me fillim nga ora 22:00, dy skuadrat do të hyjnë në fushën e “Estadio La Cartuja” në qytetin e Sevijës.
Për të arritur në finale, Mallorca e Vedat Muriqit fillimisht triumfoi ndaj skuadrës së Boiro. Mandej, të besuarit e Javier Aguirre shënuan fitore edhe Vaje de Euges.
Fati vazhdoi ta përcillte Mallorcan në short, pasi në dy ndeshjet e ardhshme triumfoi ndaj Burgos dhe Tenerife.
Në çerekfinale, Mallorca gjeti kualifikimin pasi mposhti si vendas skuadrën e Gironas.
Në gjysmëfinale, ishullorët u shortuan me Real Sociedadin. Ndeshja e parë përfundoi me barazim pa gola, teksa në ndeshjen e dytë u deshën penaltitë për ta gjetur fituesin, që ishte Mallorca.
Skuadra e Vedat Muriqit e ka fituar vetëm një herë Kupën e Mbretit dhe atë në sezonin 2002/03.
Ndërkohë, Vedat Muriqit i mungon një trofe madhor në kabinetin e tij të trofeve, që përbëhet nga një titull i fituar në Ligën e Dytë të Turqisë me Çaykur Rizespor.
Kampioni në fuqi i Kupës së Mbretit është Real Madridi, i cili e kishte mposhtur në finale Osasunën me rezultat 2-1.