
Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga Gjykata Themelore ndaj Naim Murselit dhe Granit Plavës.
“Naim Murseli dhe Granit Plava do të vdesin në burg. Shpresojmë që e njëjta gjë do t’i ndodhë edhe Kushtrim Kokallës”, shkroi Ademaj.
Ai tha se Liridona nuk do t’u kthehet më, ndërsa fëmijët e saj do të rriten pa nënën e tyre, por ka shprehur ngushëllim me faktin që rasti ka marrë epilog edhe në nivel të Gjykatës së Apelit.
Në reagimin e tij, Leonard Ademaj ka falënderuar të gjithë ata që kanë treguar interesim për rastin, veçanërisht mediat për mbulimin dhe hapësirën e dhënë.
Ai ka shprehur shpresën që vrasjeve të grave t’u vijë fundi dhe që Kosova të bëhet një vend më i sigurt për gratë.