Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Vetëvendosje fajëson Përparim Ramën për anulimin e seancës

Gazeta10
17 November 2023 - 15:44

Lëvizja Vetëvendosje po e konsideron të paligjshëm dhe të parregullt, anulimin e seancës së jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Përmes një konference për media, kryetari i Grupit të Asamblistëve të Vetëvendosjes në Prishtinë, Gëzim Sveçla, tha se pozita e dështoi seancën të cilën vetë e ka ftuar.

“Për sot ka qenë e ftuar një seancë e jashtëzakonshme me ftesë të kryetarit Rama, ku do të shqyrtoheshin tetë pika të rendit të ditës, kryesisht rregullore të cilat kanë të bëjnë me jetën praktike të qytetarëve të Prishtinës. Mirëpo, sot jemi dëshmitarë të një akti të paprecedentë, ku me urdhër të kryetarit Rama kjo seancë e jashtëzakonshme u anulua, akoma pa filluar mirë”, u shpreh ai.

Tutje, ai tha se “edhe pse ishin të gjitha kushtet, qoftë teknike, qoftë kuorumi dhe gjithçka ishte e gatshme për të filluar, në momentin e fundit nga drejtuesi i seancës, u njoftuam se kryetari ka bërë kërkesë për anulimin e seancës”.

Tutje, ai shtoi se “koalicioni LDK-PDK është i interesave të ngushta, të grupeve të caktuara të cilat kur nuk përputhen krijojnë bllokadë”.

“Arsyetimi i kryetarit Rama përmes letrës së tij se anulimi ka të bëjë me disa vërejtje të cilat ne si opozitë i kemi shprehur në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa, nuk qëndron. Për shkak se si opozitë dhe si anëtarë të Komitetit për Politikë dhe Financa në çdo takim që kemi pasur, ne kemi shprehur vërejtjet dhe sugjerimet tona, të cilat asnjëherë nuk janë marrë parasysh. Vlerësojmë se anulimi i kësaj seance, i paligjshëm dhe i parregullt, një akt i cili nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, ka ndodhur për shkak të përplasjeve brenda koalicionit qeverisës për shkak të mos përputhjes së interesave të tyre”, shtoi asamblisti i LVV-së.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.