
Policia e Shtetit zbardh detaje mbi sulmin terrorist ndaj “Top Channel”, ku për pasojë mbeti i vrarë roja i sigurisë, Pal Kola.
Duke bërë një kronologji të ngjarjes, blutë e DVP Tiranë njoftojnë se automjeti i autorëve ka lëvizur në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë, ka dalë përballë godinës së televizionit Top Channel dhe në atë moment autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës së televizionit. Nga të shtënat fatkeqësisht ka mbetur i vrarë shtetasi Pal Kola, 61 vjeç, si dhe është dëmtuar fasada ballore e godinës së televizionit, dhe dy automjete të parkuara në oborr.
Menjëherë pas zbrazjes së karikatorëve të AK-47ës, autorët janë larguar me shpejtësi përsëri nëpërmjet rrugës që kanë ardhur, për në drejtim të Durrësit, dhe në orën 00:36 janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit. Në orën 00:55, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e qujatur “Përroi i Agait”.
Mësohet se, automjeti i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, i është vjedhur nga autorët një turisti kosovar më korrik të 2020, në fshatin Tale të Lezhës. Sakaq, targat e automjetit “AA 456 HC”, janë kallëzuar të vjedhura në Tiranë natën e ndërrimit të viteve.
Grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Sakaq,
Shërbimet Policore kanë vendosur shpërblim prej 100 mijë eurosh për për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në identifikimin e autorëve.
Njoftimi i plotë:
Në vijim të njoftimit të dhënë mëngjesin e datës 27.03.2023, për ngjarjen e ndodhur në Mëzez, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës së televizionit Top Channel dhe për pasojë ka mbetur i vrarë punonjësi i sigurisë, shtetasi Pal Kola, ju informojmë si më poshtë:
Më datë 27.03.2023, rreth orës 00:30, shtetas ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri automatik model AK-47, në drejtim të godinës së Top Channel dhe për pasojë ka mbetur i vrarë shtetasi Pal Kola, 61 vjeç. Po nga të shtënat është dëmtuar fasada ballore e godinës së televizionit, si dhe dy automjete të parkuara në oborr.
Nga veprimet hetimore të kryera deri tani rezulton se në orën 00:27 të datës 27.03.2023, automjetit i autorëve është fiksuar nga kamerat e sigurisë, në zonën e Kasharit. Ky automjet ka lëvizur në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë, ka dalë përballë godinës së televizionit Top Channel dhe në atë moment autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës së televizionit.
Autorët, pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me shpejtësi përsëri nëpërmjet rrugës që kanë ardhur, për në drejtim të Durrësit, dhe në orën 00:36 janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit. Në orën 00:55, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e qujatur “Përroi i Agait”.