
Zhvillime të fuqishme në hetimet për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë. Në mesin e katër personave të arrestuar në kuadër të veprimeve të fundit hetimore janë edhe vjehrra dhe kunati i së ndjerës, të cilët dyshohen për shtytje në vrasjen e saj.
Burimet e Sinjalit kanë konfirmuar se bëhet fjalë për Nurije Sylajn, vjehrrën e Arlindës dhe Driton Sylajn, kunatin e saj.
E në mesin e të arrestuarve janë edhe Gëzim Bobi dhe Metë Pepaj.
Arrestimi i tyre vjen rreth një muaj pas vrasjes së Arlindës, ndërsa hetimet janë zgjeruar edhe në drejtim të rolit të dyshuar të familjarëve të bashkëshortit në kryerjen e këtij krimi.
Në kuadër të intensifikimit të hetimeve janë arrestuar gjithsej katër persona, janë realizuar bastisje dhe janë sekuestruar prova.
Dyshimet për shtytje në vrasje dhe dhënie të ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale i japin një dimension krejt tjetër hetimit të vrasjes së Arlindës.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, vetëm pak minuta pasi ishte kthyer nga Stacioni Policor, ku kishte denoncuar dhunën në familje.
Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e saj, ishte arrestuar dy ditë më vonë, më 27 tetor.
Gati një muaj pas vrasjes që tronditi Kosovën, hetimet janë shtrirë edhe në drejtim të personave që dyshohet se nxitën kryerjen e krimit dhe atyre që mund ta kenë ndihmuar kryerësin pas vrasjes.
Arrestohen edhe 4 persona të përfshirë në vrasjen e Arlinda Zekajt, dyshohen për ndihmë pas krimit