
Granit Xhaka nuk e përjashton mundësinë që karrierën si profesionist ta mbyllë aty ku e filloi, te skuadra e Baselit, ku ëndërron që të luajë përkrah vëllait të tij, Taulantit.
Graniti dhe Taulanti së bashku kanë filluar të luajnë futboll dhe ishin pjesë e gjeneratave të reja të Baselit derisa debutuan me ekipin e parë. Të dy u promovuan në ekipin e parë në edicionin 2010/11 dhe fituan titullin së bashku. Përderisa Graniti, i cili është një vit më i vogël se Taulanti është larguar nga Zvicra për ta vazhduar karrierën në Gjermani e Angli, Taulanti ka vazhduar të jetë pjesë e Baselit.
“Kur të më mbaroj kontrata me Leverkusenin do të jem gati 36 vjeç. Le të shohim nëse kam akoma dëshirë të luaj futboll. Por të luash sërish bashkë me Taulantin me fanellën e Baselit është një ëndërr. Dhe, deri më tani, pothuajse të gjitha ëndrrat e mia janë realizuar”, ka thënë Xhaka për të përditshmen zvicerane “Blick”.
Xhaka të hënën mbrëma është shpallur futbollisti më i mirë i Zvicrës për vitin 2023, në ceremoninë e mbajtur në Bernë. Këtë çmim Xhaka e fitoi për herën e dytë rresht, ndërsa ishte në konkurrencë me Manuel Akanjin dhe Zeki Amdounin. Në fakt, Xhaka është shpallur më i miri në Zvicër për herën e tretë, pasi edhe në vitin 2017 është nderuar me këtë çmim. Ai ka thënë se ky çmim është shpërblim për punën që e bën çdo ditë dhe është shprehur tejet i lumtur. Po ashtu, ka falënderuar edhe ekipin dhe stafin.
Prej këtij edicioni, Xhaka është pjesë e Bayer Leverkusenit, ekip që prinë në Bundesligën gjermane. Kësaj skuadre, Xhaka iu bashkua nga Arsenali, ekip ku i kaloi shtatë vjet, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Borussia Moenchengladbachu. Ai ka folur edhe për formën e mirë të Leverkusenit, ndërsa është njëri prej lojtarëve më të dalluar të trajnerit Xabi Alonso.
“Në Angli kam mësuar shumë sa i përket mentalitetit. Unë jam 31 vjeç tani dhe nuk jam më i riu në ekip, por unë jam si vera e kuqe – gjithmonë më i mirë”, ka shtuar Xhaka. “Kam shumë gjëra për formën e mirë të ekipit dhe në momentin e parë kur hyra në dhomën e zhveshjes, e ndjeva së është ekipi i duhur. Kemi një trajner të madh dhe ekip të mirë, por jemi vetëm në gjysmë të rrugës për shkak se nuk fiton asgjë në dimër. Duhet të mbajmë këmbët në tokë dhe të vazhdojmë të punojmë fort”.
Ai nuk ka dashur të flasë për titullin e kampionit, pasi ka thënë se është herët të flitet për një synim të tillë. Kështu që ka insistuar se Leverkuseni do t’i marrë ndeshjet një nga një deri në xhiron e fundit të këtij edicioni.
“Nuk do të flas për titullin e kampionit fare, as sot, as dje dhe nuk do ta bëjë një gjë të tillë as javët në vazhdim. E di se si është të flasësh më herët për fitimin e titullit. Për fat të keq, edicionin e shkuar kam pasur një rast të tillë në Premier League. Për këtë arsye motoja jonë është të shikojmë nga ndeshje në ndeshje. Gjithçka do të vendoset pas xhiros së 34-t”, ka thënë Xhaka.
Xhaka si kapiten ka udhëhequr Zvicrën drejt kualifikimit në Evropianin e këtij viti që do të mbahet në Gjermani. Në “Euro 2024” Zvicra është pjesë e Grupit A së bashku me Gjermaninë, Skocinë dhe Hungarinë.