
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka akuzuar Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut për keqpërdorim të 100 mijë eurove të takspaguesve, raporton Gazeta10.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se rastin në fjalë e kanë dorëzuar në gjykatë.
“KMDLNj-ja i ka keqpërdorur rreth 100.000€ të taksapaguesve. Rastin e kemi dërguar në Gjykatë dhe këta që supozohet t’i mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, le të përgatiten ta mbrojnë fillimisht veten para drejtësisë! Do të ishte mirë që keqpërdoruesit që i kanë dëmtuar fondet publike, të na kursejnë nga këshillat e themelimit të Asociacionit që na e deformon shtetin!”
“Liritë dhe të drejtat e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe me akte ndërkombëtare. Ne i respektojmë ato maksimalisht. Por, liritë dhe të drejtat e njeriut i cenojnë pikërisht ata që bëjnë thirrje për themelim të mekanizmave që e shkelin Kushtetutën, siç është Asociacioni, i cili në thelb është strukturë e bazuar në përkatësi etnike, përmes të cilës rriten dallimet e diskriminimet kombëtare, që janë në frymë të kundërt me liritë dhe të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftim./Gazeta10.