
Sonte me fillim nga ora 20:00 do të zhvillohet ndeshja më interesante në fazën e grupeve të kampionatit botëror “Katari 2022”, e ku do të takohen kombëtarja e Zvicrës me atë të Serbisë.
Të dy këto kombëtare janë pjesë e grupit G, së bashku me Brazilin dhe Kamerunin.
Brazili e ka siguruar kualifikimin tutje, derisa për një gjë të tillë nga grupi G do të luftojnë pikërisht zviceranët dhe serbët.
Ajo çfarë e bënë më të veçantë këtë duel është edhe paraqitja e futbollistëve shqiptarë te kombëtarja e Zvicrës.
Padyshim që duhet kujtuar paraqitjen e Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakën në ndeshjen e zhvilluar në botërorin e kaluar, ku pikërisht golat e futbollistëve me prejardhje shqiptare eliminuan fqinjët tanë.
Vëmendja kryesore edhe sonte pritet të jetë tek këta futbollistë, derisa nga serbët raportohet se do të synohet hakmarrja ndaj tyre.
Granit Xhaka është në formë jetësore me Arsenalin, derisa edhe me Zvicrën ka zhvilluar dy ndeshje këtë botëror.
Për dallim nga Xherdan Shaqiri i cili nuk po kalon në formë të mirë por ka arritur të lë pas lënidmin e pësuar dhe do të jetë i gatshëm për këtë duel.
Zvicra deri më tani në Katar ka zhvilluar dy ndeshje duke arritur një fitore atë ndaj Kamerunit ndërsa Serbia në dy ndeshjet e zhvilluara ka vetëm një barazim edhe kjo kundër kombëtarës afrikane.
Serbia është nën hetimin e FIFA-s për shfaqjen e një flamuri që tregon Kosovën si pjesë të vendit të tyre, së bashku me fjalët “Ne nuk dorëzohemi”, në zhveshtore para ndeshjes së tyre hapëse kundër Brazilit.
Kjo nuk kaloi pa u vënë re në Kosovë, me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, që e përshkroi imazhin si “të urryer, ksenofobik dhe gjenocidal”. Federata e Futbollit të Kosovës e quajti atë një “aksion agresiv”.
Këtë veprim e komentoi edhe futbollisti Xhaka, derisa Shaqiri kishte zgjedhur ti refuzojë pyetjet nga mediat e ndryshme ndërkombëtare.
“Nuk ka asgjë në histori pas këtyre dy ndeshjeve. Ne jemi Zvicra, ata janë Serbia dhe kaq. Ne jemi këtu për të luajtur futboll, ashtu si ata”, tha Xhaka këtë javë, duke i bërë jehonë tonit të homologëve të tij.
Xhaka dhe Shaqiri do të jenë protagonistët kryesor në ndeshje, por le të shpresojmë të jetë skenari i njëjtë si në vitin 2018, dhe fitorja e Zvicrës të jetë me shije shqiptare./Gazeta10/