Raporti: Fjolla Xheladini
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se po bëjnë çdo gjë për lirimin e tre zyrtarëve policor, nëmënyrë që të njëjtit të lirohen sa më shpejt. Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit u ka kërkuar autoriteteve serbe që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të rrëmbyer më 14 qershor.
Tre zyrtarët policorë të rrëmbyer të mërkurën nga focat serbe po vazhdojnë të mbahen në paraburgim nga autoritetet e Serbisë.
Katër ditë pas rrëmbimit të tyre, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se janë duke bërë çdo gjë që policët të lirohen sa më shpejtë.
Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, i bëri thirrje të shtunën presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të rrëmbyer më 14 qershor.
“I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq dhe qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Arrestimi dhe ndalimi i tyre i vazhdueshëm për akuza të rreme ka përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar.”
Zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller, përmes një deklarate për media tha se Serbia dhe Kosova duhet tëndjekin planin trepikësh të Bashkimit Evropian për uljen e tensioneve.
“Ne gjithashtu vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ndjekin planin trepikësh të përshkruar nga BE-ja dhe të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.”
Kidnapimi i tre zyrtarëve policor ka ngjallur reagime te shumta, derisa vetëm një ditë më parë, gjatë së martës, Policia e Kosovës kishte zhvilluar një aksion, përmes së cilit ka prangosur Milun Milenkoviq-Lune, njëri nga udhëheqësit e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”.
Arrestimi i tre zyrtarëve policor u cilësua si hakmarrje për arrestimin e Milenkoviqit nga Policia e Kosovës.