
Zvogëlimi prej 25% i pranisë së forcave speciale policore nga brenda dhe rreth ndërtesave komunale në veri është “hap i parë pozitiv” por është “thjesht një hap i vogël” dhe “i pamajftueshëm”, ka thënë emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, duke folur në një intervistë për RTS. Sarrazin tha se Bashkimi Evropian i ka kërkuar Kosovës që “të mos ketë fare më prezencë të forcave speciale policore në veri dhe afër ndërtesave komunale”.
“Më duhet të them se ky njoftimi i qeverisë kosovare është hap i parë dhe është hap pozitiv, por është vetëm një hap i vogël, dhe nuk i jep fund. BE ka dhënë të qartë planin e saj tre-pikësh që do të thotë të mos ketë fare më prezencë të forcave speciale policore në veri dhe në afërsi të komunave, dhe ky zvogëlimi prej 25% është hap drejt asaj, por qartazi nuk e përmbush kërkesën e Bashkimin Evropian”, ka thënë Manuel Sarrazin.
Emisari gjerman pati edhe vlerësime tejet të rrepta sa i përket gjendjes në terren në pjesën veriore të Kosovës, ku edhe i tha RTS-së se “serbët atje literalisht po vuajnë nga kjo situatë” derisa kërkoi edhe themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.
“Ne duhet të qetësojmë situatëm, kemi situatë të rrezikshme. Dhe, më duhet të pranoj se shpejt jam në Mitrovicë, gjithashtu në Mitrovicë të Veriut, flas me shumë serbë, njerëzit në kuptimin e ngushtë të fjalës po vuajnë nga kjo situatë”, ka thënë Sarrazin.
“Situata duhet të qetësohet në mënyrë që njerëzit të kenë një jetë normale pa situata emergjente të përditshme, pa frikën se mund të ndodhë diçka çdo minutë. Ky është parakusht që ata të kthehen në tryezë, të fillojë dialogu dhe të formohet Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe”, ka shtuar ai.