
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se nuk beson që lufta me Iranin do të përfundojë para zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor, duke shtuar se deri atëherë nuk pret as ulje të çmimeve të naftës, shkruan BBC.
“Unë mendoj se lufta do të përfundojë menjëherë pas zgjedhjeve, sepse ata nuk mund të rezistojnë më gjatë”, tha Trump të mërkurën, duke iu referuar Teheranit.
Ai i bëri këto komente derisa po udhëtonte drejt Teksasit për konventën e parë të partisë kushtuar zgjedhjeve të mesmandatit, të cilat mund të ndryshojnë balancën e pushtetit në institucionet amerikane.
Trump po përballet me rënie të mbështetjes në sondazhe dhe me presion brenda Partisë Republikane për t’i dhënë fund luftës me Iranin. Të mërkurën, çmimi i naftës arriti në 100 dollarë për herë të parë që nga korriku, si pasojë e intensifikimit të luftimeve në Lindjen e Mesme.
“Menjëherë pas zgjedhjeve, çmimet e naftës do të bien ndjeshëm”, u tha Trump gazetarëve. “Mendoj se do të zgjasë pak më shumë sesa deri te zgjedhjet e mesmandatit.”
Ai pretendoi gjithashtu se Irani është “i dëshpëruar të përpiqet të ndikojë në zgjedhje, në mënyrë që atje të kemi një grup të mirë njerëzish të dobët”, duke iu referuar, me sa duket, demokratëve, “që do t’i lënë ata të qetë dhe do t’i lejojnë ta kenë armën e tyre bërthamore”.
Trump nuk paraqiti prova për pretendimin se Irani po përpiqet të ndikojë në zgjedhje. Teherani ka mohuar vazhdimisht se synon të zhvillojë armë bërthamore.
Në konventën në Teksas, Trump përsëriti qëndrime të ngjashme, duke thënë se çmimi i naftës do të bjerë “sapo ta fitojmë luftën me Iranin”.