
Komentatori politik Ibrahim Shala, duke folur në emisionin “Adresa” në Kanal 10, ka komentuar deklaratën e deputetit serb, Slavko Simiq, gjatë seancës së Kuvendit.
Shala ka thënë se adresimi i Simiqit nuk duhet të shihet si një lapsus apo gabim i momentit, por si një qëndrim politik i menduar.
“Adresimi i zotit Simiq nuk ka të bëjë me një parti politike shqiptare që është pjesëtare e parlamentit. Kjo është çështje e ndarë. Është një qëndrim politik. Nuk ka qenë një lapsus, nuk ka qenë një gabim që i ka shpëtuar zotit Simiq, por ka qenë e menduar dhe është shprehur në mënyrë të tillë”, ka deklaruar Shala.
Sipas tij, reagimi ndaj kësaj deklarate ka qenë i drejtë, pasi përfaqësuesit e komunitetit serb nuk mund të flasin në emër të “popullit serb” në një proces që lidhet me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
“Kur të shprehesh në emër të popullit serb, nuk mund të shprehesh në kuadër të parlamentit në momentin kur diskutohet për zgjedhjen e nënkryetarëve të parlamentit, sepse nënkryetarët e parlamentit zgjidhen si përfaqësues të partive politike e jo të përkatësisë së kombit apo popullatës”, ka thënë ai.
Shala ka theksuar se, nëse do të ndiqej logjika e përfaqësimit në bazë të përkatësisë kombëtare, atëherë edhe nënkryetarët shqiptarë do të duhej të konsideroheshin si përfaqësues të llojeve të ndryshme të popullit shqiptar.
“Ka përfaqësues të partive parlamentare në Kuvend dhe mendoj se reagimi ka qenë i drejtë”, është shprehur Shala.
Ndërkaq, sa i përket zgjedhjes së nënkryetarëve nga partitë parlamentare shqiptare, Shala ka thënë se kjo çështje duhet të ndahet nga qëndrimet e Simiqit dhe Listës Serbe.
Ai ka vlerësuar se, pavarësisht debateve politike, procedurat për zgjedhjen e nënkryetarëve duhet të vazhdojnë në Kuvend./Gazeta10