Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Mbi një vit pa ujë, banorët e Vërnicës ankohen për neglizhencë të ujësjellësit dhe komunës

Gazeta10
13 March 2023 - 8:45

Banorët e fshatit Vërnicë të komunës së Mitrovicës po ankohen për mungesë të ujit tani e një vit, kjo për shkak se nga ujësjellësi iu kanë thënë se janë djegur mjetet që bëjnë bartjen e ujit.

Banorët shprehen të shqetësuar, pasi që thonë se kanë qenë në komunë dhe ujësjellës por deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë, shkruan Gazeta10.

“Që gjashtë muaj jemi pa ujë, kërkojmë me punu e me leshu ujin. Katër herë jemi kanë, dy herë në ujësjellës dy herë në komunë, kanë premtuar që kanë me leshu, nuk kanë punu sen. Më herët kemi pas ujë, tani që 7-8 vitet nuk kemi rregullisht. Po thonë janë djeg pompat, kryetari i komunës ka thanë se ka kërkuar me i ble pompat e ujit po s’ka ndodh”, tha njëri banor i fshatit Vërnicë.

Një tjetër banor, ka thënë se që 1 vit nuk kanë ujë, dhe se detyrohen të blejnë edhe ujë të pijshëm, ndërsa të reshurave të shiut iu gëzohen shumë, pasi që ata ujë e shfrytëzojnë për nevoja të tjera.

“Problemi qëndron të pompat se ato janë djegur, komuna na ka premtuar që mjetet i sigurojnë ata e ujësjellësi le ta kryen punën. Po u bë një muaj prej kur jemi kanë në komunë, asgjë s’ka lëviz, kompania e ujësjellësit ka thënë se s’po gjejnë. Na jemi tu hek, kur bien shi gëzohemi i mbushim disa cisterna, për banjo e për lopë, ujin e pijshëm e blejmë se s’kem qysh ndryshe, 40 metra kam hapur bunarë dhe s’ka dalur ujë. Edhe para 6 muajve s’kem pas krejt ujë vetëm një pjesë, ajo pjesa tjetër më shumë se që 1 vit s’ka ujë.”, ka thënë një vendas.

Për këtë problem të fshatit Vërnicë, drejtori teknik i Ujësjellësit “Mitrovica”, në “Mëngjesi me Arben Ahmetin”, ka thënë se këtë javë do të bëjnë një zgjidhje të përkohshme, por që shumë shpejt do të gjendet një zgjidhje e përhershme.

“Në fshatin e Vërnicës, kemi problem se gjatë vërshimeve sistemi i pompave është vërshuar dhe jemi duke u munduar me bë një zgjidhje të përhershme. Do të vendoset një stacion i ri komplet dhe do largohet nga vendi ku është, që më mos të ketë problem. Por gjatë javës do të bëhet një zgjidhje e përkohshme.”, ka thënë drejtori teknik, Kadri Istrefi./Gazeta10

https://youtu.be/j4M4hOjYhI0

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.