
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u tha ligjvënësve të mërkurën se mbështetja diplomatike dhe materiale e Kinës për Rusinë bie ndesh me interesin e Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Dëshmia e Sekretarit Blinken në Kongres vjen përpara një telefonate të mundshme midis presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, shkruan VOA.
Rusia bombardoi ndërtesat e banimit në Ukrainë pas vizitës shtetërore të presidentit kinez Xi Jinping në Moskë.
Presidenti rus Vladimir Putin thotë se ai mbështet një propozim paqeje të ndërmjetësuar nga Kina, por Ukraina thotë se bisedimet diplomatike mund të zhvillohen vetëm nëse Rusia tërheq forcat e saj nga territori ukrainas.
Në Uashington, ligjvënësit amerikanë dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken thonë se janë skeptikë për motivet e Kinës.
“Unë mendoj se mbështetja e tyre diplomatike, politike dhe, në një farë mase, mbështetja materiale për Rusinë sigurisht që bie ndesh me interesin tonë për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha Blinken.