Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Lista Serbe nuk po e shfrytëzon të drejtën kushtetuese për të marrë pjesë në zgjedhje”

Gazeta10
25 March 2023 - 22:00

Raporti: Arbenita Ilazi

Më 23 prill është caktuar data zyrtare për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në katër komunat veriore. Kryeministri Kurti u bënë thirrje qytetarëve që të jenë vendimmarrës dhe zë i fuqishëm përmes përfaqësuesve të zgjedhur. Ndërkaq, mospjesëmarrja e Listës Serbe është komentuar edhe nga kandidat për kryetar komune e njohës të marrëdhënieve ndër etnike. Derisa edhe shtetet e QUINT-it, kanë thënë se kjo e fundit nuk është duke shfrytëzuar të drejtën kushtetuese për të marrë pjesë në zgjedhje           

Pas organizimit zyrtar të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit për katër komunat veriore të Kosovës, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje.

Kurti tha se në këto zgjedhje qytetarët do të kenë mundësinë të krijojnë zë të fuqishëm.

Këto deklarata i pari i qeverisë i bëri të shtunën ku edhe priti në zyrën e tij kandidaten për kryetare të komunës së Zveçanit, Sladjana Pantic.

Mirëpo, Lista Serbe, partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme lokale në komunat në veri të Kosovës.

E sipas drejtorit të Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli kjo ka ndodhur për shkak se serbët në veri po kërkojnë nënshkrimin e marrëveshjes për Zajednicën.

Koment për mos pjesëmarrje të Listës Serbe në zgjedhje ka dhënë edhe kandidati për kryetar të komunës së Zubinpotokut, Izmir Zeqiri. Ai tha se Lista Serbe është duke e bërë një dëm të madh.

Ngjashëm kanë reaguar edhe shtetet e QUINIT, këta të fundit të premten kanë bërë thirrje për shmangie të dhunës duke shprehur keqardhje për Listën Serbe e cila nuk shfrytëzoi të drejtën demokratike për të marrë pjesë në zgjedhje.

“Na vjen keq që Lista Srpska nuk e shfrytëzoi të drejtën demokratike për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Zgjedhjet janë themeli i demokracisë. Është thelbësore të sigurohet që ato të mbahen në mënyrë paqësore dhe të rregullt. Presim që autoritetet përkatëse të veprojnë me profesionalizëm. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin dhunën, e cila mund të prishë zgjedhjet”, thuhet në deklaratë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të organizohen në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – pas dorëheqjeve të kryetarëve të tyre, në nëntor të vitit të kaluar./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.