
Raporti: Egzona Shala
Pas 25 viteve nga lufta e fundit në Kosovë, familja Rexha nga Rahoveci pretendon se kanë gjetur të dyshuarin që ia maltretoi babanë e tyre.
Pas një kërkimi në rrjetet sociale, këngëtari Labinot Rexha ka hasur ne profilin e tij.
Me të parë fotografitë, Rexha thotë se menjëherë e ka njohur dhunuesin e babait të tij, për të cilin kërkon dënim për atë që i ka shkaktuar babait dhe gjithë familjes së tyre.
Rexha thotë se në atë kohë ai i kishte 16 vjet dhe atë ngjarje e ka të freskët në mendje, kur komshiu i tyre Trajko Roganoviq, kishte marre babain para syve të tij dhe për 15 ditë e kishin mbajtur duke e maltretuar.
Ai thotë se pas mjekimeve të cilat i kanë bërë në Zvicër, mjekët kanë konstatuar që lëngimet e tij shëndetësore vijnë nga dhuna që ka përjetuar.
Tmerrin e asaj dite e ka të freskët edhe nëna e Labinotit, e cila rrëfen se si ka shpëtuar burri i saj i gjallë nga duart e njeriut që dikur e kishin komshi.
Ajo tregon se si u gëzua kur e pa të gjallë bashkëshortin e saj, ani pse me plagë të shumta në trup, por nuk e besonte se ato plagë nuk do ta lejonin të jetonte më gjatë afër saj dhe tre fëmijëve të tyre.
E komandanti i brigadës 124 në Rahovec, Ismet Tara, thotë se e ka njohur Trajko Roganovicin, për të cilin nuk kanë pasur as atëherë përshtypje të mira, pasi sjelljet e tij kanë qenë agresive.
Komandant Tara thotë se institucionet e Kosovës duhet të merren më shumë me personat të cilët kanë bërë masakra në Kosovë.
E një ditë pas postimeve të familjes Rexha, ka reaguar Roganoviq përmes një komenti ku ka shkruar se ka zbatuar urdhrat e shtetit.
“Labinot, edhe mund të flasë palidhje sikurse ti. Mos përmend emra palidhje. Nuk të njohë se kush je, por po shoh që po komentojnë të tjerë nga Rahoveci. Unë kam qenë polic i ndershëm dhe nuk kam frikësuar askënd. Si çdo polic, kam zbatuar urdhrat e shtetit”
Në fshatrat e komunës së Rahovecit, si Krushë e Madhe e Drenoc, kanë ndodhur masakrat më të mëdha ku shumë burra e fëmijë u vranë nga ushtria serbe.