
Sindikata e Policisë së Kosovës është bërë anëtarja më e re e Këshillit Evropian të Sindikatave Policore, pas pranimit të djeshëm të mbajtur gjatë kongresit në Romë të Italisë, raporton Gazeta10.
Sipas njoftimit të tyre, pro pranimit të Kosovës kanë votuar edhe vendet që s’e kanë njohur Kosovën.
“Të gjithë përfaqësuesit e shteteve anëtare të Evropës si dhe shtetet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës si Spanja, Greqia dhe Qipro votuan unanimisht për pranimin e Sindikatës së Policisë së Kosovës si anëtare me të drejta të barabarta në CESP”, thuhet në njoftimin e sindikatës kosovare të policisë.
Kjo sindikatë e ka cilësuar si të lartë pranimin e saj në këtë organizatë.
“Pranimi i Sindikatës së Policisë së Kosovës në familjen e sindikatave Evropiane është arritje e madhe për Policinë e Kosovës për garantimin e të drejtave social-ekonomike dhe ligjore”, thuhet në njoftimin e tyre.
Ky Kongres u zhvillua gjatë 16 dhe 17 majit në Romë të Italisë./Gazeta10