
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas dëmtimit të veturave të mediave të RTV Dukagjinit dhe Kallxo.com teksa ishin duke raportuar për zhvillimet e fundit në veri.
AGK-ja e ka dënuar këtë akt të protestuesve njëherësh u ka bërë thirrje policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovë që të mundësojnë raportim të sigurt të gazetarëve.
“Në videot e publikuar në medie, shihen veturat e RTV Dukagjinit dhe KALLXOs, me simbolin e motos jozyrtare të serbëve “Samo sloga Srbina spasava” (Vetëm uniteti i shpëton serbët), gomat e shpërthyera, si dhe mbulimin e “Republika e Kosovës” në targa. AGK-ja, e dënon këtë akt të protestuesve, njëherësh u bën thirrje Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovë, që të mundësojnë raportim të sigurtë dhe të papenguar të ekipeve mediale”, shkruan AGK në Facebook.
Gjithashtu , AGK-ja, fton gazetarë për kujdes të shtuar gjatë raportimit nga komunat në të cilat janë vendosur protestuesit.