
Raporti: Arta Mustafa/Kanal10
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabirel Escobar, ka sqaruar pozicionin e shtetit të tij karshi zhvillimeve në veri të vendit.
Në një takim me gazetarë, emisari amerikan ka thënë se SHBA-ja është me popullin e Kosovës, porse sipas tij, nuk mund të jetë me një individ që nuk ka instinkt të bashkëpunimit.
Prandaj, ai ka thënë se liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë afat dy ditë që të gjejnë zgjidhje, në të kundërtën ka paralajmëruar pasoja.
“Ata që pengojnë marrëveshjen e pengojnë rrugën evropiane. Kurti dhe Vuciq kanë kohë deri të premten, për shkak se të premten unë dhe Lajcak i japim përgjegjësi eproreve tanë. Marrëdhënia me kryeministrin Kurti është sfiduese. Liderët që nuk përmbushin marrëveshjet do të ballafaqohen me konsekuenca. Ata qe nuk zbatojnë marrëveshjet e arritura, ia kthejnë shpinën Evropës”, tha Gabriel Escobar.
Escobar ka thënë se marrëdhënia e ShBA-së me Kosovën nuk janë marrëdhënie e tyre me kryeministrin, Albin Kurti.
Por, që ka kundërshtuar veprimet e tij në veri të Kosovës, duke thënë se nuk janë marrë parasysh kërkesat e faktorit ndërkombëtar.
“Ne pamë që merreshin vendime pavarësisht partneritetit tonë. Kjo është një lloj sinjali për ne, ne nuk mund ta pranojmë këtë. Pra, në një moment kur ne duam ta rivendosim atë koordinim dhe partneritetin me këtë qeveri ne jemi të gatshëm, sepse do të jemi gjithmonë me popullin e Kosovës. Kjo nuk do të thotë që ne jemi me një individ që nuk e ndan atë instikt për të bashkëpunuar dhe gatishmëri për t’u koordinuar. Më duhet ta them, ne jemi plotësisht të hutuar bashkë me BE-në (aleatët tuaj më të ngushtë) se pse po ndodh kjo, pse ka mungesë koordinimi dhe mungesë fleksibiliteti dhe vizioni politik për ta kaluar këtë dhe për të ecur përpara me mundësitë që janë prezantuar në Marrëveshjen për Normalizim”, deklaroi Escobar.
Ai përmendi edhe themelimin e Asociacionit, për çka tha se Kosova menjëherë duhet të nisë themelimin e Asociacionit, duke e parë si një zgjidhje për të shkëputur veriun nga Serbia.
Sipas tij, Asociacioni do të behet, me ose pa Kurtin.
“Qëndrimi ynë është ky; marrëveshja duhet të realizohet menjëherë, Kosova duhet ta bëjë Asociacionin. Nuk mund ta injorojmë Asociacionin. Është në Marrëveshjen e Brukselit, në atë të Ohrit dhe në konkluzionet e Këshillit Evropian. Do të bëhet. Pyetja është, me kë? dhe sa kohë duhet të presim? Ne e dijmë se si duhet të duket një Asociacion dhe ne e dimë se si nuk duhet të duket ai. Kështu që ne duhet të fillojmë tani. Mund të kishim një statut brenda një dite, nëse do të donim. Kështu që as unë nuk e kuptoj këtë vonesë. Pra, Kosova të mos e definojë veten para Serbisë, port a definojë veten me vlerat e veta, me marrëdheniet e saj, jo me 6 milionë njerëz të Evropës, të Serbisë por para 700 milionë njerëzve të komunitetit euroatlantik. Kjo është ajo që duam. E megjithatë, sa herë që flasim me këtë kryeministër dhe zëvendëskryeministrin e tij, ata duan të flasin vetëm për Serbinë. Ne duam të flasim për një integrim”, tha ai.
Lidhur me veriun, Escboar tha se Amerika është plotësisht konfuze me atë që është duke ndodhur, derisa shtoi se raportet e Qeverisë së Kosovës, nuk janë dëmtuar vetëm me ShBA-në, por me tërë komunitetin transatlantik.