
Raporti: Egzona Shala/Kanal10
Rrugët në dy komunat veriore Zveçan e Zubin Potok edhe të martën ishin të qeta dhe me numër të vogël të protestuesve.
Derisa në mesditë numri i pjesëmarrësve u rrit, pasi në tendat e vendosura në Zubin Potok u shtrua drekë për protestuesit nga lokalet afër objektit të komunës.
Ndryshe nga ditët e kaluar të martën edhe volumi i muzikës nacionaliste ishte i ulët, e për shumë orë madje as nuk u dëgjua, por protesta u shoqërua me disa shfaqje.
E korridori që u hap në barrikadat e Zubin Potokut po shfrytëzohet nga ky fëmijë pritjen e të cilit polici kosovarë e bëri me shumë ngrohtësi.
Situata e qetë ishte edhe në Zveçan derisa pjesëtarët e KFOR-it ishin në numër më të vogël.
Në ora 14:00 protestuesve iu bashkuan përfaqësuesit e Listës Serbe të cilët u kthyen nga Prishtina me makinën që nuk barte tabela.
Me të arritur tek tendat, Goran Rakiq dhe Igor Simiq u takuan me protestuesit për t’i informuar rreth takimit që kishin me përfaqësuesit ndërkombëtar Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak.
E pas çdo fjalimi biseda mbyllej me duartrokitje e brohoritma të protestuesve.
Por, të njëjtët hezituan të prononcoheshin para medieve edhe pas insistimit të gazetarëve.
Qytetarët filluan të shpërndahen në ora 15:00 derisa rreth vazhdimit të protestave Goran Rakiq ka thënë se ato do të vazhdojnë.
Nga 26 majit, serbët lokalë të komunat veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.