
Raporti: Egzona Shala / Kanal10
Forcat e sigurisë vendore e ndërkombëtare vazhdojnë të qëndrojnë në tri komunat veriore, në kohën kur janë rritur presionet për tejkalimin e situatës. Në të tri komunat e veriut, situata ka qenë e qetë edhe gjatë së enjtes, përkundër numrit gjithnjë në ulje të protestuesve.
Megjithëse, në numër shumë të vogël, serbët vazhdojnë të qëndrojnë në tendat e vendosura tash e rreth dy javë para objektit të Komunës së Zveçanit.
Situata ishte e qetë, derisa gjatë së enjtes, nuk janë dëgjuar as muzika nacionaliste, kurse para objektit vazhdon të valëvitet flamuri i Kosovës.
Sikur në Zveçan, situatë e njëjtë është edhe në dy komunat tjera, atë të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit.
Faktori ndërkombëtar ka rritur presionin ndaj Kosovës dhe Serbisë për shtensjonimin e situatës në veri të vendit, derisa kanë adresuar tri kërkesa për tejkalimin e krizës.
Në mesin e këtyre kërkesave është edhe caktimi i zgjedhjeve të reja në këto komuna, si dhe largimi i forcave policore nga objektet komunale.
Për këtë, emisarët Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak do të raportojnë të premten para eprorëve të tyre, pas vizitave që kanë zhvilluar në Prishtinë dhe në Beograd.
E njohës të sigurisë kanë thënë se nëse qeveria refuzon tërheqjen e policisë së Kosovës nga objektet komunale, atëherë mund të pasojnë sanksione e paralajmëruara nga faktori ndërkombëtar.
Kurse, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare kaë thënë se emisarët evropianë dhe amerikanë nuk e kanë të drejtën ligjore që t’i përcaktojnë veprimet e qeverisë si të paligjshme.
“Raportimet e emisarëve të angazhuar në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, tek eprorët e tyre, janë brenda itinerarit të rregullt që bëjnë ata, dhe kjo nuk paraqet kurrfarë risie. Ajo çfarë ka rëndësi është se çfarë thuhet si përshkrim i gjendjes reale atje, dhe akterëve serb që bëjnë rezistencë për të penguar shtrirjen e autoritetit kushtetues të shtetit të Kosovës në atë pjesë të territorit të mbarë vendit. Madje, nga deklarimet e tyre, emisarët nuk kanë pikëpamje legale për t’i përcaktuar veprimet e qeverisë si ilegale. Sepse shteti i së drejtës nuk lidhet me etni, e as me pjesë të caktuar të territorit”, tha Pula.
Emisarët e SHBA-së dhe BE-së gjatë qëndrimit në Kosovë dhe në Serbi kanë kërkuar nga autoritetet e të dyja vendeve uljen e tensioneve dhe kthimin në procesin e dialogut.
Për palët që nuk zbatojnë marrëveshjet, ata kanë paralajmëruar pasoja. /Gazeta10