
Raporti: Bleona Dallaveraj / Kanal10
Pronarë të disa hoteleve në vend kanë njoftuar se për shkak të situatës në veri shumë vizitorë që kishin planifikuar pushime në Kosovë i kanë anuluar ato. Shqetësime për këtë trend i cili po vazhdon të jetë sfidë edhe për hotele të tjera janë shprehur nga Oda e Hotelerisë dhe Unioni i Turizmit në vend. Ata kanë thënë se institucionet duhet të krijojnë kushte që turistët të ndihën të sigurt në vend.
Tensionimi i situatës në veri të vendit, ka ndikuar në uljen e numrit të turistëve dhe në ekonominë e vendit.
Pronarët e disa hoteleve vendore kanë njoftuar se për shkak të imazhit që është krijuar pas ngjarjeve të fundit në komunat veriore, turistët e huaj kanë anuluar rezervimet për ta vizituar Kosovën.
Kryetari i Odës së Hotelerisë së Kosovës, Hysen Sogojeva ka thënë se me një situatë të ngjashme janë përballur disa hotele deri më tani.
Tutje ai ka thënë se viti 2022 sipas statistikave qëndronte më mirë në turizëm, ndërkaq, nëse një situatë e tillë nuk përmirësohet, viti 2023 mund të ketë numër më të vogël të turistëve të huaj.
Shqetësime për këtë trend kanë ngritur edhe nga Unioni i Turistëve të Kosovës.
Drejtori i saj, Baki Hoti ka thënë se turistëve duhet tu krijohen kushte nga institucionet që të ndihen të sigurt.
Por megjithatë, përkundër kësaj ka turistë nga vende të ndryshme të botës që kanë zgjedhur ta vizitojnë Kosovën pavarësisht ngjarjeve politike në vend. /Gazeta10