
Raporti:Fjolla Xheladini / Kanal10
Ende nuk ka filluar të zbatohet marrëveshja mes Kosovës e Serbisë e arritur më 27 shkurt në Bruksel dhe aneksit të saj më 18 mars në Ohër. Mos implementimi i marrëveshjes sipas njohësve të zhvillimeve politike po ndodh për shkak të tensionimit të situatës në komunat veriore, ku po ndodhet e gjithë vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare. Por partia në pushtet fajtore për këtë po e lenë Serbinë, duke thënë se kjo e fundit nuk e dëshiron zbatimin e marrëveshjes së dakorduar.
Tensionimi i situatës në veri të vendit ka marrë gjithë vëmendjen vendore e ndërkombëtare.
Kësisoj zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi ka mbetur nën hije. Megjthatë nga partia në pushtet për moszbatim të marrëveshjes, fajore është Serbia.
Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja ka thënë se ishte Serbia ajo që nuk enënshkruajti marrëveshjen , andaj kritika për këtë adresoi edhe tek ndërmjetësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak.
E për njohësit e procesit të dialogut fokusimi i faktorit ndërkombëtar tek shtensionimi i situatës në veri, ka bërë që të anashkalohet roli i tyre në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe asaj të Ohrit.
Analisti, Arton Demhasaj ka thënë se përshkallëzimi në komunat veriore ia ka ndërruar kahjen procesit të dialogut.
Sipas tij Serbia e ka shfrytëzuar këtë situatë për të bindur faktorin ndërkombëtar se nuk është koha për implementim të marrëveshjes, por qetësim të situatës në teren.
Tensionet në veri të vendit kanë filluar nga data 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur të katër komunave veriore kanë shkuar në objektet komunale për të ushtruar detyrën e tyre, të asistuar nga Policia e Kosovës, gjë që kishte shkaktuar protesta të dhunshme.
Derisa në anën tjetër, ende nuk ka filluar implementimi i marrëveshjes së 27 shkurtit në Bruksel dhe aneksit të 18 marsit në Ohër./Gazeta10