Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Kryeministri i Hungarisë i lutet Vuçiqit ti lirojë tre policët e Kosovës

Gazeta10
20 June 2023 - 14:07

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i është lutur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që të dëgjojë rekomandimin e Budapestit zyrtar dhe t’i kthejë policët e arrestuar të Kosovës në vendin e tyre.

“Me respekt, ju lus i dashur Aleksandar që ta mendoni mirë këtë. Armiqtë e Serbisë janë të etur për të dëmtuar Serbinë dhe kjo është një situatë dhe rast i tillë që mendoj se do të ishte më mirë që ju të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë për t’i kthyer ata në Kosovë”, tha Obran në Suboticë, gjatë takimit me zyrtarët e lartë të Serbisë.

Ai shtoi se kjo do t’i ndihmonte Serbisë “në kauzën e vet”.

“Prandaj, po ju kërkoj që ta mendoni këtë”, tha Orban.

Më 14 qershor, tre policë kufitarë të Kosovës u arrestuan nga forcat serbe. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

Policëve u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji dhe ata po mbahen në një burg në Kralevë.

Sipas autoriteteve serbe, policët dyshohet se kanë kryer veprat penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse.

Këto shkelje janë të dënueshme me deri në 12 vjet burgim.

Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kërkuar Serbisë që të lirojë policët e Kosovës, pa kushte. /REL

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
14 October 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.