Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Kurti publikon dëshmi për rrëmbimin e policëve, thotë se ishin brenda territorit

Gazeta10
20 June 2023 - 22:00

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka publikuar disa foto si dëshmi nga vendi ku janë kidnapuar tre policët të mërkurën në veri, duke thënë se ata ishin brenda territorit të Kosovës.

“Në momentin e rrëmbimit, tre policët tonë kanë qenë te tryeza e improvizuar për ngrënie, duke drekuar së bashku. Ata janë rrethuar nga 15 persona që i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Ambasadori ynë në Beograd, Jetish Jashari, sot i ka vizituar ndaras të tre policët, të cilët po mbahen peng nga Serbia. Janë tri rrëfime identike nga tre policët. Vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë. Pikërisht në atë vend ku e kemi theksuar qysh me datën 15 qershor: 1 kilometër në brendi përgjatë rrugës së bllokuar ilegale, dhe 300 metra, përkatësisht 670 metra, nga të dy anët larg kufirit e brenda Kosovës.”, ka shkruar ai.

Tutje, ai ka kërkuar lirimin e tre policëve duke thënë se po mbahen padrejtësisht në burg, andaj ka kërkuar edhe që ndërkombëtarët ta dënojnë Serbinë për këto shkelje të Marrëveshjes së Kumanovës.

”Ne jemi në të drejtën tonë, në të drejtën e Republikës dhe këtë e dokumentojnë qartë dëshmitë që posedojnë institucionet tona të sigurisë, si dhe dëshmia e tre policëve tanë. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policor. Ata duhet të lirohen pa kushte dhe të pacenuar. Njëkohësisht kërkojmë nga faktorët ndërkombëtarë, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja që ta dënojnë agresionin e Serbisë që paraqet edhe shkelje të pikës 4 të Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, nga 9 qershori të vitit 1999.”, shkroi ai.

Në mesditën e 14 qershorit, forcat serbe rrëmbyen tre zyrtarë policorë, thellë në brendi të territorit të Republikës./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.