
Raporti: Fjolla Xheladini / Kanal10
Kosova ka blerë dronë TB-2 nga Turqia. Njoftimi u bë nga kryeministri Albin Kurti, i cili tha se tashmë vendi është edhe më i sigurt. Megjithatë, as Kurti e as ministri i Mbrojtjes nuk kanë treguar sa është numri i tyre, e as sa kanë kushtuar. Ndërkaq, njohës të sigurisë, thonë se pajisja ushtrisë së Kosovës me këta dronë ka qëllime mbrojtëse, e jo sulmuese.
Ky dronë bajraktar TB-2, tani është në pronësi të ushtrisë së Kosovës.
Të dielën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me udhëheqës të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë prezantuar blerjen e dronëve të blerë nga Turqia.
Kreu i ekzekutivit kosovar tha se tani Kosova është edhe më e sigurt.
Derisa ka përgëzuar oficerët të cilët kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve.
“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia! Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë. Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare! Me Komandantin e FSK-së gjenerallejtnant Bashkim Jashari dhe Ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj përgëzuam oficerët që e kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve.”, deklaroi Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës.
Për pajisjen e ushtrisë me dronë të teknologjisë së fundit, ka shkruar edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Mehaj potencoi se dronët Bayraktar janë lloji më i fundit i armatimit, posedimi i të cilëve, sipas tij, është i domosdoshëm për mbrojtjen e vendit.
“Që nga dita kur kam marrë mandatin si ministër në Qeverinë Kurti -II-, prioriteti im kryesor ka qenë blerja e armatimit dhe pajisja e FSK-së me armatim modern të teknologjisë së fundit, të cilat gjithnjë janë sipas standardeve të NATO-së. Ky proces nuk ka qenë i lehtë, por me mbështetjen e pakursyer të Kryeministrit Kurti, të Qeverisë dhe gjithashtu mbështetje të fuqishme ndërkombëtare me të cilët do të vazhdojmë të rrugëtojmë krahë për krahë gjithmonë, kemi arritur të përmbyllim me sukses edhe këtë projekt madhështor”, tha Armend Mehaj – Ministër i Mbrojtjes.
Ndërkaq edhe njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi ka thënë se pas transformimit të FSK-së prej misionit civil në ushtarak në vitin 2018, ka qenë e nevojshme pajisja me armatim.
Megjithatë, ai ka theksuar se këta dronë, aktualisht do të përdorën për mbrojtje, e jo për të sulmuar dikë.
Droni TB2 është zhvilluar në Turqi nga Selcuk Bayrakar, i diplomuar në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit.
Bayraktar TB2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe kjo mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë dhe po ashtu mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij.
Kjo fluturake, po ashtu, mund të pajisjet me katër raketa të llojit të “mikro municioneve të mençura”, që janë mjaft të sakta për të shkatërruar automjete të blinduara nga disa kilometra distancë. /Gazeta10