
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë sot pjesë në një takim të përbashkët me liderë të Ballkanit Perëndimor, takim ky i mbajtur në ShBA me organizim të Shefit të Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Presidentja ka ndarë fotografi nga ky takim, ku tha se është diskutuar edhe rruga euroatlantike e Kosovës. Ajo ka theksuar se dhënia e statutit kandidat Kosovës për anëtarësim në BE është interes strategjik.
“Integrimi euroatlantik vazhdon të jetë rruga e vetme për të siguruar paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon dhe përtej tij”.
“Në takimin e sotëm të organizuar nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në New York, ritheksova se dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën është interes strategjik”, ka shkruar Presidentja.
Darka vjen vetëm një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati një mal kritikash ndaj emisarit Mirosllav Lajçak, që po ashtu ishte pjesë e kësaj darke, por edhe vetë Borrellit.