
Emisioni “Kampionët” vazhdon edhe këtë të diel, kësaj radhe duke trajtuar temën rreth Superligës së Kosovës.
Të ftuar në studio janë si çdo herë analistët e përhershëm: Liridon Leci dhe Bekim Isufi, gjersa atyre i bashkohen edhe Muhamet Dragusha e Bekim Shotani. Në lidhje direkte është i ftuar edhe Valon Zymberi, drejtor sportiv i Dritës.
Valon Zymberi tha se disa faktorë luajtën rol në zhvendosjen e derbit të Gjilanit në një qytet tjetër, kësaj radhe në Lipjan.
“Ndeshjen e zhvendosëm për shkak të sigurisë, pasi Policia e Kosovës na rekomandoi që të luajmë diku tjetër. Kishte mungesë të Njesisë Speciale të Kosovës pas situatës në vend, kështu që vendosëm të luhet vetëm me një tifozëri” – tha ai.
Tutje, Zymberi foli edhe për ndjesinë rreth këtij derbi, pas disa kritikave se derbi i Gjilanit është zbehur.
“Ndjesia për derbin kishte filluar të harrohet, mirëpo kjo ndeshja e sotme riktheu pak a shumë një ndjesi të derbit të viteve të kaluara” – shtoi ai.
Në vazhdim, Zymberi nuk harroi të falenderojë edhe qytetin mikpritës të këtij derbi.
“Falenderojmë qytetin e Lipjanit, zyrtarët e klubit të Ulpianës për mikpritjen gjatë ditës së sotme” – përfundoi ai.