
Nëse eksperienca e Paolo Rossit në Kupën e Botës 1982 do të ishte një pikturë, ajo do të vendosej në muzeun e Luvrit në Paris.
90% e lojtarëve në botë marrin famën pas ndeshjeve në ligat e tyre respektive, mirëpo është njëri nga 10%-shi që historinë e tij e shkroi në skenën më të madhe të futbollit, atë të Kupës së Botës.
Është Paolo Rossi, sulmuesi italian që nuk mund të konsiderohej një sulmues modern. Ai nuk ishte sulmuesi tipik që të duhej në fushë. Ai ishte i vogël me trup, i brishtë dhe nuk kishte teknikën që shumica e legjendave italiane e kishin.
Karrierën e nisi te Juventus, mirëpo vetëm pas 8 vitesh luajti minutat e parë me klubin juventin. Pas një kohe u huazua në Serie B te Como. Një vit më vonë ai shënoi 21 gola me Vincenza, për t’i mundësuar kalimin në Serie A.
Sezonin e ardhshëm ai shënonte 24 gola në elitën italiane të futbollit. Kështu, ai nisi t’i binte në sy trajnerëve të kombëtares italiane.
Ishte viti 1978, kur Enzo Bearzot e ftoi në Kupën e Botës. Në këtë turne, Rossi shënoi tre gola, mirëpo kjo ishte vetëm “qetësia para stuhisë”.
Përvoja e tij në Botërorin e ‘78-tës nuk është pjesa kryesore e historisë së tij. Është ajo se çfarë do të ndodhte më vonë që do të bënte Rossin emrin më të përfolur në Itali dhe jo vetëm.
Më 1980, Rossi pa veten të përfshirë në hetimet për skandalin e njohur si “Totonero” sa ishte pjesë e Perugia. Sulmuesi ishte denuar me 3 vite moslojë, mirëpo ishte reduktuar në dy vite.
Pas një kohe të shkurtër, Rossi nënshkroi me Juventusin dhe mori ftesën për Kupën e Botës të vitit 1982.
Të gjithë mediat italiane dolën kundër këtij vendimi, duke thënë se ai ishte jashtë forme dhe se nuk ishte i gatshëm të ishte pjesë e skuadrës italiane për atë turne.
Përgjatë tri ndeshjeve të para, Rossi ishte i humbur dhe vetëm sillej në fushë, duke mos pasur asnjë ndikim në lojën e Italisë.
Pas fitores 2-1 ndaj Argjentinës, Paolo Rossi dukej se u ‘pushtua’ nga djalli. Ai shënoi një tregolësh ndaj ekipes superiore të Brazilit. Italia fitonte 3-2, në një ndeshje që mbetet në librat e historisë si një nga më dramatiket.
Në gjysmëfinale, Italia luante ndaj Polonisë. Rossi shënonte 2 gola, kështu dërgonte Italinë në finale ndaj Gjermanisë.
Në një nga historitë më të mahnitshme futbollistike, një sulmues që sapo ishte suspenduar nga futbolli dhe ishte jashtë forme, shkoi në Spanjë dhe mbajti në supe një shtet të tërë, duke shënuar një gol në fitoren 3-1 ndaj Gjermanisë në finale.
Me gjashtë gola, Rossi fitoi Këpucën e Artë dhe kështu u cilësua nga italianët si një njeri me forca të mbinatyrshme.
Paolo Rossi cimentoi emrin e tij në historinë italiane të futbollit, duke i dhuruar futbollit një nga ‘rikthimet’ më të ëmbla gjatë gjithë viteve të ekzistimit të këtij sporti.