
Diego Maradona ishte njëri nga lojtarët më të mirë të historisë së futbollit, dhe si i tillë fitoi zemrat e miliona futbolldashësve.
Më së shumti atyre të Napolit, i cili konsiderohet edhe sot si një ikonë e futbollit napolitan, madje disa e konsiderojnë edhe si një Zot i dërguar në tokë.
Mirëpo, kjo dashuri e madhe për të një ditë solli ca probleme për vetë tifozët dhe kombëtaren e shtetit të tyre.
Për këtë rikthehemi në vitin 1990, në gjysmëfinalen e Kupës së Botës që mbahej në Itali.
Në njërën anë ishte tri herë kampioni i botës, Italia, një superfuqi e futbollit botëror që po organizonte Kupën e Botës për herë të parë në 56 vite.
Ndërsa, në anën tjetër ishte Argjentina, që po synonte të mbronte titullin e kampionit botëror të fituar në Meksikë më 1986.
Faktori “Maradona” ishte një faktor kyç në këtë ndeshje. Dukej si një skenar filmi. Arena e ‘luftës’ ishte “Estadio San Paolo” i Napolit, shtëpia e dytë e Diego Maradonës.
Tifozët lokal ishin të ndarë në dy pjesë. Një tabor e përkrahte idolin napolitan, ndërsa tjetri kombëtaren e tyre, Italinë. Ndodhte kjo, edhe pse në rrezik ishte një vend në finalen e Kupës së Botës.
E luajtur më 3 korrik 1990, shfaqja kaloi çdo pritshmëri, me skuadrën italiane dhe atë argjentinase që dhuruan një nga ndeshjet më të paharrueshme të tërë kompeticionit.
Italia i frikësohej Argjentinës. Edhe pse hynte në ndeshjen e madhe në formë më të mirë se kampionët e botës atëbotë. Vet prezenca e Maradonës i bënte ata të dyshonin në mundësitë e tyre për sukses. Edhe pse kishte kaluar një lëndim jo të lehtë, ai mbetej pa dyshim një mbret i futbollit, me prekjet e tij magjike që ende krijonin ‘probleme’.
Të përballur me dilemën se kë të përkrahin, qytetarë napolitanë dolën me pankarta që shkruhej si në vijim: “Diego në zemrët tona, Italia në këngët tona” dhe “Maradona: Napoli të don ty, por Italia është atdheu ynë”.
Italia hynte në ndeshje si favorite, duke fituar pesë ndeshjet e para ndaj Austrisë, ShBA-së, Çekosllovakisë, Uruguajit dhe Republikës së Irlandës, madje duke mos pësuar asnjë gol.
Skuadra italiane ishte e mbushur përplotë me talent, me të pakrahasueshmin Franco Baresin në mbrojtje, së bashku me Paolo Maldinin dhe Ëalter Zenga në portë. Në fushë paraqitej edhe talenti i ri i asaj kohe, Roberto Baggio që përkrahë kishte Gianluca Vialli dhe goalshënuesin më të mirë të kompeticionit, Salvatore “Toto” Schillaci.
Në kontrast, Argjentina nuk ishte aq bindëse në mbrojtjen e titullit kampion. Pasi u mposhtën nga Kameruni në ndeshjen e parë, ata mezi kaluan nga grupi, madje nga vendi i tretë. Në një ndeshje të 1/8 së finales, ku Brazili ishte më i mirë, Argjentina triumfoi vetëm në fund pas një goli të Claudio Caniggia.
Në çerekfinale, Argjentina u përballë me Jugosllavinë, duke arritur që ta mposhtë vetëm në penalti. Një tjetër problem që ndiqte Argjentinën ishte edhe forma fizike e Maradonës. Ai kishte lëndime në dy këmbët e tij dhe mezi mund të ecte. Mirëpo, ata ishin kampionë të botës dhe ishin të vendosur të mbesin të tillë.
“Azzurët” ishin më të mirë në fillim, mirëpo gjithçka po shkonte barabartë, deri në momentin kur Schillaci dërgoi topin në rrjetë.
Kështu përfundonte edhe pjesa e parë, me të dytën që po i përkiste Argjentinës, të cilët nisën të ndikohen nga përkrahja e madhe që kishin në stadiumin e Napolit, në Itali!
Caniggia edhe një herë doli në skenë, duke i shënuar Italisë golin e parë në atë kompeticion pas 517 minuta futbolli.
Më pas, lojtari i Argjentinës, Giusti u ndëshkua me të kuq, dhe kështu kombëtarja latine u mbyll në mbrojtje, me Italinë që nuk po mund ta çante ‘murin’ argjentinas.
Ndeshja shkoi në penalti. Edhe aty po shkonte barabartë, deri kur Donadoni dështoi të shënoi, me Maradonën që vendosi në epërsi ekipin e tij.
Serena, lojtari italian kishte edhe një mundësi të mbante shtetin e tij ende në lojë, mirëpo portieri argjentina ia qëlloi anën dhe kështu, në mes të Italisë, ndaj Italisë, Argjentina siguroi finalen.
Për këtë ndeshje folën edhe lojtarët italianë, ndër ta edhe Schillaci, i cili për dokumentarin e krijuar nga “Netflix” me emrin “Becoming Champions” thotë: “Ndeshja në Napoli ishte përparësi për Argjentinën, jo për ne, edhe pse po luanim në tokën tonë. Stadiumi ishte i ndarë në dy pjesë, gjersa në një pjesë të kohës mendoj se ishte më shumë për Argjentinën.”
Tutje, ai thoshte se “po të luhej ndeshja në Romë ose në ndonjë qytet tjetër, Italia do të shkonte tutje, mirëpo siç themi ne, ishte fat i keq dhe kështua ia mundësuam Argjentinës kalimin tutje”.
Italia arriti që në ndeshjen për vendin e tretë të triumfojë 2-1 ndaj Anglisë, gjersa Argjentina u mposhtë në finalen e madhe nga Gjermania Perëndimore.