
Pal Lekaj ka reaguar pasi Gjykata sot e shpalli fajtor lidhur me rastin e 53 milionëshit, duke e dënuar me 3 vite e 8 muaj burgim, shkruan Reporteri.net.
Lekaj për Reporteri ka thënë se vendimi i sotën ishte i padrejtë dhe i pabazuar, derisa tutje ka shtuar se kundërshtarët e tij nuk duhet të gëzohen para kohe, pasi siç tha ai e drejta do të dalë shumë shpejt në shesh.
“Në historinë e gjykimeve në Kosovë, ka pasur mijëra raste të gjykimeve të padrejta e të pabazuara, siç ishte edhe vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore ndaj meje. E njoftoj opinionin e gjerë publik se asnjëherë nuk i kam tejkaluar kompetencat e mia e nuk e kam keqpërdorur pozitën e ministrit, kjo as në rastin e Autostradës “Arbën Xhaferi”! Natyrisht, unë do ta ankimoj vendimin në Apel dhe jam i bindur se vendimi i sotëm do të shpallet NUL. Kundërshtarëve të mi politikë u them të mos gëzohen para kohe, sepse e drejta që do të dalë në shesh shumë shpejt do t’i zhgënjejë. I bindur në pafajësinë time dhe në drejtësi” ka thënë Pal Lekaj.
Gjykata e Prishtinës ka marrë vendim që lidhur me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë ndaj “Bechtel-Enkës” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, ish-ministri Pal Lekaj të dënohet me 3 vite e 8 muaj burgim, shkruan reporter.
“Dënim me burg prej 3 vite e 8 muaj i cili do të ekzekutohet në momentin kur aktgjykimi bëhet i formës së prerë. Poashtu të akuzuarit i shqipton dënim plotësues me 3 vite e 6 muaj, konform nenit 65, “ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike”.
Të pandehurit, Nebih Shatrit i është shqiptuar dënim me burgim prej 1 vit e 8 muaj, i cili dënim do të ekzekutohet në momentin kur aktgjykimi bëhet i formës së prerë, poashtu dënim plotësuas prej 2 vite “ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike dhe shërbime publike”.
Besim Tahirit i është shqiptuar dënim me burgim 1 vit e 8 muaj, e poashtu dënim plotësuar me kohëzgjatje prej dy vite, “ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike”.
Ndaj të pandehurit tjetër, Eset Berisha dënim me burgim prej 3 vite e 3 muaj, dhe poashtu dënim plotësues për ndalimin e ushtrimit të funksionit në administratë publike, me kohëzgjatje prej 2 vite.