
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me kabinetin e tij, për periudhën njëvjeçare të vitit 2023 kanë shpenzuar në total 241 mijë e 998 euro. Vetëm për dreka zyrtare, Kurti dhe kabineti i tij kanë shpenzuar nga buxheti i shtetit një shifër prej 114 mijë e 140 eurove.
Kjo në bazë të të dhënave të siguruara nga Reporteri, përmes qasjes në dokumente publike, për periudhën janar-dhjetor 2023. Shifrat flasin se për këtë periudhë, kabineti i kryeministrit të Kosovës më së shumti para ka shpenzuar në “Organizimet e kabinetit të Kryeministrit, ku përfshihen edhe drekat e punës/zyrtare”.
Vlera e shpenzimeve nga buxheti i shtetit për këto aktivitete kap shifrën e 114 mijë e 140 eurove.
Ndërkaq, bazuar në këto të dhëna, kryeministri Kurti më së shumti ka shpenzuar për bileta të udhëtimeve. Vlera e tyre kap shifrën 14 mijë e 226 euro. Derisa stafi i tij politik, po për aviobileta, shpenzoi 47 mijë e 370 euro nga buxheti i shtetit.
12 mijë euro kreu i Qeverisë i shpenzoi për akomodim jashtë vendit, derisa shuma e harxhimeve të stafit të tij po në këtë kategori kap vlerën e 23 mijë e 883 eurove.
Shpenzimet për mëditje në udhëtimet zyrtare të stafit politik të kryeministrit Kurti arrijnë vlerën e 16 mijë e 183 euro.
Derisa për kryeministrin Kurti, në të dhënat zyrtare për shpenzimet që i ka përcjell Zyra e Kryeministrit të Kosovës tek Gazeta Online Reporteri, nuk evidentohet ndonjë shumë e shpenzuar për këtë kategori.
Sipas këtyre të dhënave, Kurti bashkë me stafin e tij shpenzuan 14 mijë e 186 euro për karburante të veturave për periudhën njëvjeçare janar-dhjetor 2023.