Dy persona kanë vdekur në Korçë mbrëmjen e së mërkurës, të dy të vrarë nga një armë zjarri.
Siç ka thënë Policia në Shqipëri, dyshohet se fillimisht njëri person e ka qëlluar me armë një burrë, e më pas edhe vetë ka bërë vetëvrasje.
“Më datë 28.02.2024, rreth orës 20:25, në lagjen nr. 18, Korçë, rruga ‘Koço Golniku’, një shtetas ende i paidentifikuar, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri shtetasin E. P., rreth 40 vjeç, banues në Korçë, i cili ka humbur jetën gjatë transportimit për në spitalin e Korçës. Autori i dyshuar i krimit, pasi ka qëlluar 40-vjeçarin, dyshohet se është vetëvrarë me armën e krimit. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës armën e krimit, gëzhojat. Gjithashtu janë administruar dhe po këqyren pamjet filmike nga kamerat e sigurisë”, ka thënë Policia për A2News.