Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Lista Serbe tenton të marrë vendim në emër të serbëve: S’dalim në regjistrimin e popullsisë të organizuar nga Kurti

Gazeta10
05 April 2024 - 10:18

Lista Serbe ka thënë të premten se serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në Kosovë, për t’i dërguar “mesazh të qartë” kryeministrit kosovar Albin Kurti.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë do të zhvillohet nga data 5 prill deri më 17 maj.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që e gëzon edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar – e akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për “shtypjen shumëvjeçare të serbëve” në Kosovë.

“… dëshirojmë t’i dërgojmë një mesazh të qartë Albin Kurtit dhe ata që e mbështesin atë se populli serb nuk do të marrë pjesë në regjistrimin e rrejshëm të ardhshëm në organizatën e tij, me të cilën ai dëshiron të konfirmojë suksesin e tij të turpshëm në dëbimin e serbëve”, tha Lista Serbe në “Facebook”.

Pjesëmarrja në regjistrim të popullsisë kërkohet me ligj dhe në rast refuzimi, qytetari mund të penalizohet me 30 deri në 2,000 euro.

Agjencia e Statistikave të Kosovës sot nis procesin e regjistrimit të popullsisë në vend, i cili do të zgjasë deri më 17 maj. 

ASK ka bërë të ditur se informacioni i mbledhur gjatë regjistrimit të popullsisë do të shërbejë si bazë për vendimmarrje kritike, që prek çdo aspekt të jetës, nga kujdesi shëndetësor, arsimi, zhvillimi i infrastrukturës e deri te ndarja e burimeve dhe planifikimi i politikave.

ASK shpreh mirënjohje për angazhimin e stafit prej mbi 5.000 persona dhe të qytetarëve për një bashkëpunim në një moment kyç, ku çdo person ka rëndësi.

“Përfshirja juaj në regjistrimin e popullsisë është një hap drejt sigurimit të një të ardhmeje më të ndritshme dhe më të barabartë për të gjithë’, thuhet në njoftim.

ASK u ka dërguar edhe mesazhe telefonike qytetarëve për t’i njoftuar lidhur me këtë proces.

ASK-ja do të dalë me rezultate preliminare pas tre muajsh. Gjatë këtij procesi do të aktivizohet edhe një lojë shpërblyese. Cilido qytetar që qëllon më së afërmi numrin e popullsisë do të fitojë 10 mijë euro.

Regjistrimi i fundit i popullsisë është kryer në vitin 2011. Sipas këtij regjistrimi, Kosova ka mbi 1.7 milionë banorë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.