
Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës po diskutohet lidhur me raportin për anëtarësimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë.
Deputetja nga Turqia në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Seda Gören Bölük befasoi në diskutimin për anëtarësimin e Kosovës në KiE, duke treguar se është me prejardhje nga Kosova.
Ajo shprehu mbështetjen e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, duke thënë se procesi integrues i saj “nuk ka kthim mbrapa”.
“Ne besojmë që problemet e përmendura në raport nuk duhet të shihen si pengesë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës”, tha ajo.
“Me këtë besim, si parlamentare, me prejardhje nga Kosova, e mbështes plotësisht, me gjithë zemër, raportin dhe rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës”, tha Seda Gören Bölük.